
Në një kohë kur në Kosovë flitet hapur për dialog politik me Serbinë intensifikohen edhe takimet e përfaqësuesve të ambasadës amerikane me aktorë të klasës politike.
Këtë të mërkurë zëvendësshefja e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Kelly Degnan u gjend në zyrën e kryetarit të LDK-së, njëherësh kryetarit të bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa.
Takimi ishte i mbyllur për mediat. Në një njoftim për shtyp thuhet se, “kryetari Mustafa falënderoi zonjën Degnan për vizitën dhe tha se populli i Kosovës gjithmonë i ka besuar Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe do të vazhdojë që këtë besim ta kultivojë edhe në të ardhmen”.
Zyrtarët komunalë thonë se në takim është diskutuar proçesi i përmbylljes së pavarësisë dhe sundimi i rendit dhe ligjit në tërë Kosovën. Sipas tyre, në këtë takim nuk është hapur fare tema e dialogut politik Kosovë-Serbi që mund të ndodhë në të ardhmen.
Gjithashtu, një këshilltar i kryetarit Isa Mustafa mohoi që në këtë takim të jetë hapur një nga temat kryesore për të cilën LDK-ja shqetësohet, ajo për mandatin e presidentes Jahjaga.
Sidoqoftë, në komunikatë theksohet se kryetari Mustafa dhe zonja Degnan biseduan edhe për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, ku bashkarisht theksuan se kjo është diçka parësore për zhvillimin ekonomik, uljen e numrit të papunësuarve dhe thithjen e investimeve të huaja.
Top Channel