
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të martën se
përgatitjet për mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes po ecin sipas planit.
Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij, Thaçi ka nënvizuar se veprimet e institucioneve kosovare po bëhen në koordinim me ato ndërkombëtare.
“Për Kosovën po hapet një kapitull i ri me perspektivë të qartë evropiane”, është shprehur Thaçi gjatë fjalës së tij para ministrave.
Në muajt e fundit Gjykata Kushtetuese e Kosovës miratoi vendimin për mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes së shtetit të ri, pas katër vitesh pavarësi.
Vendimi u mirëprit edhe nga faktori ndërkombëtar, përfaqësuesit e të cilit në Prishtinë deklaruan se tashmë Kosova është e aftë të mbajë vetë shtetin e saj.
Gjithësesi, fundi i mbikëqyrjes nuk parashikon largimin e misionit EULEX, i cili do të mbajë emërimin “EULEX-Kosova” dhe do të qëndrojë edhe dy vjet të tjera, deri në 2014-ën.
Kuvendi i Kosovës në shtator do të ketë para vetes për miratim një letër të nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe shefja e diplomacise europiane, Catherine Ashton, për çështjen në fjalë.
Top Channel