
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar se pret
që në këtë institucion të paraqitet së shpejti një platformë për
bisedimet e ardhshme me Kosovën.
“Është me rëndësi që Kuvendi të përcaktojë se cilat do të jenë temat e dialogut dhe se çfarë do të bëjnë negociatorët gjatë këtij proçesi”, ka thënë Stefanoviç.
Në një prononcim për mediat serbe, zyrtari ka nënvizuar se Parlamenti do të angazhohet për respektimin e pakteve të arritura deri tani me Prishtinën.
“Bisedimet në Parlamentin e Serbisë për dialogun me Kosovën do të fillojnë së shpejti dhe po ashtu edhe bisedimet mes palëve të ndërmjetësuara nga Brukseli”, ka theksuar Stefanoviç, i cituar nga “B92”.
Beogradi zyrtar kishte paralajmëruar pak muaj më parë se bisedimet me palën kosovare do të nisnin pas formimit të qeverisë së re serbe, e cila u betua në fund të muajit të kaluar.
Më herët mediat serbe paralajmëruan se, në muajin gusht do do të ketë një takim, në të cilin presidenti Tomisllav Nikoliç do të marrë mandatin për të udhëhequr bisedimet.
Por ishte vetë Nikoliç që tensionoi pak ditë më parë gjërat, pasi sqaroi idenë e tij lidhur me statusin e shqiptarëve të Kosovës, që sipas tij do të jetë e bazuar në sistemin e gjermanëve në Belgjikë dhe në Itali.
Top Channel