
Qeveria e Kosovës është e gatshme që jo vetëm të zhvillojë bisedime
politike me Serbinë, por edhe të nënshkruajë me të një traktat paqeje.
Deklarata është bërë nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në konferencën e zakonshme për shtyp pas mbledhjes së ekzekutivit kosovar.
“Kosova dhe Serbia duhet t’u japin fund marrëdhënieve konfliktuale me një traktat paqeje. Ky traktat nënkupton që të përcaktohen raportet ndërshtetërore dhe të ndërtohen marrëdhëniet për të ardhmen”, ka deklaruar Kuçi.
Sipas raportimit të “REL”, Kuçi ka vlerësuar se traktatet janë marrëdhënie që vendosen vetëm mes dy shteteve sovrane dhe jo mes atyre që nuk njohin njëri-tjetrin.
Përsa i përket dialogut dypalësh, për të cilin flitet se do të angazhohen krerët e dy shteteve, Kuçi ka nënvizuar se ende nuk ka një organizim të mirëfilltë.
Por ai ka theksuar se qeveria e Kosovës është më e gatshme se kurrë, edhe nëse do të bëhet fjalë për një takim në nivel kryeministrash, mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç.
“Ne nuk po rendim për takime të tilla, por ne nuk kemi turp të kemi takime me askënd. Të tjerët duhet të ndihen keq karshi nesh”, ka thënë më tej Kuçi.
Një ditë më parë ishte vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që lidhur me dialogun deklaroi se Kosova dhe institucionet e saj nuk i kanë problem emrat apo regjimet ideologjike në Serbi.
Në një intervistë për të përditshmen ‘Kosova Sot’, Thaçi tha se takimet e niveleve të larta mund t’i shërbejnë proçesit të përmirësimit të raporteve mes dy shteteve.
Top Channel