Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka filluar të flasë hapur për dialogun politik që pritet të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për të përditshmen kosovare ‘Kosova Sot’, ai mohon kompromiset në dëm të shtetit të Kosovës, por shprehet i gatshëm për respektim afirmativ të komuniteteve pakicë.

“Debatet për kompromise të reja janë qesharake. Respektimi afirmativ i komuniteteve nuk është kompromis, është vlerë, është standard dhe është diçka që i ka munguar shtetit tonë por edhe vendeve të tjera të rajonit. Angazhimi dhe përgjegjësia ime do të jetë gjithçka që ndërlidhet me respektimin në përpikmëri të plotë të Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve europiane. Prandaj, në kuadër të respektimit të Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve europiane, nëse dikush sheh ndonjë kompromis që bëhet në dëm të Kosovës, është thjesht një injorancë politike e atyre zërave që nuk kanë peshë politike në opinionin publik kosovar dhe atë ndërkombëtar. Për më tepër janë për të bërë zhurmë bajate në politikën ditore”, thotë kryeministri Thaçi.

Duke paralajmëruar një takim me përfaqësues të shtetit serb, kryeministri thekson se Kosova dhe institucionet e saj nuk i kanë problem emrat apo regjimet ideologjike në Serbi.

Ai thotë se takimet e niveleve të larta mund t’i shërbejnë proçesit të përmirësimit të raporteve mes dy shteteve dhe diçka e tillë gëzon mbështetjen e fortë të SHBA-ve dhe BE-së.

“Unë jam zgjedhur për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës, kam obligimet e mia kushtetutese dhe ligjore. Dhe natyrisht, një lider ka obligime të punojë dhe të veprojë ndonjëherë edhe në ndonjë rrethanë që nuk është në vullentin personal, privat, emocional apo politik, por duhet t’i kryejë obligimet kushtetuese dhe ligjore. Unë sillem si lider i një vendi sovran. Por një fotografi qoftë me ish-zëdhënësin e Millosheviçit, zotin Daçiç, qoftë me ndihmësin e parë të Sheshelit, apo presidentin Nikoliç, nuk do ta ndryshonte historinë e së kaluarës, inspirimin, involvimin dhe kryerjen e genocidit të drejtpërdrejtë nga ata në Kosovë”, ka thënë Thaçi në këtë intervistë.

Por në gjithë këtë zhvillim, Thaçi ka lënë të nënkuptohet se nuk është vetëm. Sipas tij, institucionet e Kosovës, qeveria, Parlamenti, Presidenca, por edhe opozita, kanë përgjegjësi të përbashkëta.

“Është mirë që Kosova e ka përvojën e mire dhe pozitive sa i përket kauzës nacionale që të bashkohemi të gjithë, pavarësisht dallimeve politike ditore që mund të kemi”, shton ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA