Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar të shtunën sërish lidhur me çështjen e liçencës së Lotarisë Kombëtare.
Përmes një editoriali të publikuar në faqen zyrtare të internetit të PS, Rama ka nënvizuar se, letra dërguar kancelarit austriak ishte në respekt të një vendi mik e partner dhe të vetë kreut të qeverisë së Austrisë.
“Ishte momenti për ta informuar kancelarin e vendit mik mbi pikëpamjen tonë lidhur me tenderin e Lotarisë Kombëtare”, është shprehur Rama.
Lideri i opozitës thotë se, qëllimi i PS për ta zmbrapsur rezultatin fiktiv të atij tenderi të kopsitur enkas për kompaninë e njohur austriake, tashmë është publik.
“E ky qëllim s’ka asnjë lidhje me vetë kompaninë. Ne nuk kemi asgjë as me atë kompani në këtë rast dhe as me asnjë kompani në çdo rast kur proçedura të errëta kanë nxjerrë fitues të parafabrikuar”, vlerëson Rama.
“Ne e kemi me politikëbërjen e korruptuar që i ka imponuar këto farë proçedurash për synime të cilat bien ndesh haptaz me interesin publik, madje deri edhe me interesin e me sigurinë kombëtare në raste të veçanta”, thekson më tej kreu i PS.
Ai ka shtuar se opozita nuk mund të lejojë që Lotaria Kombëtare të kthehet në një lojë bixhozi ku shqiptarët të paguajnë, ndërsa pushtetarët të fitojnë.
“E kemi sqaruar mëse njëherë se si duam ta organizojmë Lotarinë Kombëtare dhe ta vendosim në funksion të interesit publik”, ka thënë Rama.
“Lotaria Kombëtare është një lojë që e organizon shteti, por jo për të fituar një fatlum e për të dalë i humbur tërë populli, me qëllimin e vetëm që miliona e miliona euro të kalojnë në xhepat e menaxherëve të lojës”, ka shtuar kreu i PS.
Top Channel