Dobësia politike e profesionale e qeverisë Thaçi shihet si rrezik për shkatërrimin e ekonomisë kosovare.

Shpend Ahmeti nga lëvizja Vetëvendosje alarmon se, vlerësimet e rritjes ekonomike po ashtu të dobët, po shkojnë duke u zvogëluar edhe më tutje.

Papunësia në nivele rekord, rënia e remitancave dhe rritja e defiçitit tregtar janë mesazhi më i qartë dhe më tronditës që mund të marrë një shtet për ekonominë e vendit.

“Hyrjet nga tatimet e mbledhura në vend nga bizneset janë në rënie. Krahasuar me 6-mujorin e kaluar ato janë shumë më poshtë, që do të thotë se biznesi është në krizë. Shifrat nuk flasin për një rimëkëmbje të shpejtë. Ndërkohë, gjobat ndaj bizneseve kanë shënuar një ngritje marramendëse nga 50 mijë në 800 mijë euro”, ka deklaruar Ahmeti.

Zyrtarët e Vetëvendosjes theksojnë se, duke parë se këtij koalicioni qeverisës po i vjen fundi, qeveritarët po mundohen t’i japin goditjet e fundit shumë të rrezikshme për ekonominë kosovare e që mund të jenë vdekjeprurës për stabilitetin fiskal dhe ekonomik të vendit.

Për më tepër, Vetëvendosje i bën thirrje partive opozitare si LDK dhe AAK që të mos ia japin mundësinë e bashkëpunimit.

“Përveç se na ka futur në kontratën e parë të autostradës me 3-fishin e çmimit, së shpejti do fillojë puna për autostradën e re, që do kushtojë po ashtu me pagesë të njëjtë, për të cilën kompania “Bechtel Enka” ka mprehur dhëmbët. Po ndërtohet gjithashtu termocentrali “Kosova e Re”, sërish me pronësi të huaj”, ka vijuar Ahmeti.

Sipas Vetëvendosjes, kjo gjendje ekonomike ka rrezik të thellohet në qoftë se në Kosovë nuk bëhen ndryshime të menjëhershme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA