Kore e Veriut, rëndohet bilanci i viktimave

04/08/2012 18:30

Përmbytjet që kanë përfshirë zona të ndryshme të Koresë së Veriut kanë vrarë në javët e fundit 169 persona dhe kanë bërë që të shpallen të humbur 400 të tjerë.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia shtetërore, e cila ka rishikuar bilancin e viktimave të publikuar më herët, që fliste për 119 të vdekur.

Përmbytjet dhe shirat e dendura në fund të qershorit dhe gjatë korrikut kanë lënë mbi 212 mijë persona të pastrehë, ndërsa rreth 65 mijë hektarë tokë e punuar janë përmbytur.

Programi Botëror për Ushqimin, nga OKB, thotë se po dërgon ndihma me ushqime për në Korenë e Veriut, pas kërkesës së saj.

Ditën e premte, PBU deklaroi se asistenca fillestare për të prekurit nga përmbytjet do të ishte 400 gramë misër në ditë për dy javë, por nuk saktësoi se kur kjo ndihmë do të mbërrinte.

Zyrtarë të OKB-së në Penian, që kanë vizituar zonat e përmbytura të vendit, kanë deklaruar se nevoja për ndihmë ishte urgjente. Dëmet në infrastrukturë dhe në tokat e punuara kanë vënë në dyshim planet shtetërore të ushqimit.

Mbi 8.600 shtëpi janë shkatërruar dhe 43.770 të tjera të mbuluara nga uji, bashkë me 1.400 shkolla, fabrika dhe qendra shëndetësore, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA