Nuk ka asnjë pikë dyshimi që Qeveria e Kosovës do të hyjë në dialog për
veriun e vendit me Qeverinë e sapoformuar serbe, por mbetet pikëpyetje
se cili do të jetë opsioni që çështja e veriut të përmbyllet, thuhet në
studimin që Klubi për Politikë të Jashtme e ka bërë përmes analizave të
fakteve, të cilat flasin për veriun e Kosovës.
Sipas radios Europa e Lire, Alban Bokshi, drejtor ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, i cili të premten shpalosi studimin me titull “Veriu atje larg”, thekson se pozicionet e palëve në konflikt, Prishtinës dhe Beogradit, reflektojnë situatën e krijuar.
Bazuar në analizat, ai thotë se i ashtuquajturi “plani gjashtë-pikësh”, i cili në vitin 2008 ishte paraqitur nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, duket se është ringjallur si një mënyrë për të zgjidhur problemin e veriut.
“Përderisa, kur është prezantuar ‘plani gjashtë-pikësh’ prej Ban Ki-munit, ka qenë i përkohshëm, thuhet në raportin e Ban Ki-munit, tash këto gjatë pika do të vendosen si plan i përhershëm për zgjidhjen e çështjes së veriut. Mirëpo, nëse merren këto gjatë pika, atëherë po del se nuk do të diskutohet më vetëm për veriun, por po del që ndoshta po hyjmë në negociata për status, përsëri, sepse ky plan gjashtë-pikësh do të ndikojë në rregullimin kushtetues të brendshëm të Kosovës”.
“Nuk do ta lë Kosovën siç është tash ose siç ka qenë më herët. Nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për këtë plan gjashtë-pikësh, ose plani që gjashtë-pikësh duhet të jetë baza mbi të cilën do të negociohet, atëherë ne, faktikisht, po hyjmë në negociata për status”, thotë Bokshi.
Bokshi e quan kontradiktore ofertën e Qeverisë së Kosovës për veriun e vendit, që nënkupton Planin e Ahtisarit, ndërkohë që në anën tjetër priten negociatat për veriun.
“Kjo kontradiktë, mendoj se nxjerr në pah faktin që Beogradi është faktor në veri të Kosovës, Beogradi është faktor sa i përket rregullimit të problemit të veriut – Mitrovicës së veriut dhe tri komunave atje – dhe prandaj po kërkohen edhe po kërkohen negociatat politike”.
Top Channel