Afganistan, shkarkohen 2 ministrat kryesorë

04/08/2012 18:50

Parlamenti afgan ka votuar përmes një mocioni mosbesimi shkarkimin e dy prej ministrave më të vjetër të kabinetit qeveritar.

Bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm dhe atë të Mbrojtjes, të cilët ishin kritikuar për dështim në parandalimin e bombardimit ndërkufitar nga Pakistani dhe për një seri gabimesh që çuan në vrasjen e disa zyrtarëve të vjetër.

Ata janë marrë gjithashtu në pyetje lidhur me dyshimet për korrupsion. Votimi në fjalë përbën një goditje të rëndë për presidentin Hamid Karzai dhe administratën e tij, deklarojnë vëzhguesit ndërkombëtarë.

Zyra e zotit Karzai deklaroi se presidenti do të marrë një vendim ditën e shtunë lidhur me të ardhmen e ministrit të Brendshëm, Besmillah Mohammadi dhe atij të Mbrojtjes, Abdul Rahim Wardak.

Kryetari i shtetit ka fuqinë për t’i mbajtur ata në postet e tyre edhe për një muaj. Në të kaluarën, ai i ka mbajtur ministrat e tij edhe më gjatë.

Duke folur përpara votimit, ministri Wardak tha se ai i është përgjigjur sulmeve përtej kufirit duke dërguar më shumë trupa në zonën veri-lindore dhe duke vendosur atje artiljeri të rëndë.

Por Parlamenti miratoi masat për ta lëvizur atë nga detyra me 164 vota pro kundrejt 72 kundër. Ndërsa votimi për ministrin Mohammadi kaloi me 126 vota me 90.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA