Ka nisur me probleme publikimi i emrave të bashkëpuntorëve të shërbimeve serkrete në faqen zyrtare të Komisionit për lustrim në internet. Pasditen e së premtes janë paraqitur disa dosje dhe emra të bashkëpunëtorëve por më pas të njëjtat janë tërhequr.
Kreu i Komisionit Tome Axhiev, paraditen e së premtes kishte njoftuar se institucioni që drejton ai do të publikojë vonë gjatë ditës së premte dosjet në internet për shkak të problemeve teknike.
Ndërkohë, në ditën që duhej të nis shpallja e emrave të spiunëve në internet, Komisionin për Lustrim e ka vizituar një delegacion i ambasadës amerikane në Shkup.
Kreu i këtij komsionit, pas takimit me amerikanët mohoi cdo mundësi që ata të jenë interesuar për emra konkret dhe të kenë kërkuar mos mospublikimin e ndonjë emri në faqen zyrtare të komisionit.
“Për asgjë nuk u interesuan konkretisht përfaqësuesit e ambasadës amerikane, vetëm pyeten se si rrjedh procesi, ndërsa ne i sqaruam se si është procedura me ligj. Ata na porositën të vazhdojmë më tej, pasi ky proces është shumë i nevojshëm”, tha Tome Axhiev, kryetar i Komisioni për Lustrim.
Numri një i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev, vlerëson se me shpalljen e emrave të bashkëpunëtorëve në internet nuk cenohet prezumimi pafajësisë. Por ndryshe nga kryetari Axhiev, mendon anëtari i Komisionit për Lustrim nga opozita, Çedomir Damjanovski i cili thotë se vendimi për publikimin e emrave në internet është antikushtetues.
“Që në fillim kam theksuar se nuk do duhet të shpallim emrat dhe dosjet e bashkëpunëtorëve derisa nuk përfundon procedura gjyqësore për ato lëndë. Unë jam kundër shpalljes së emrave dhe dosjeve, pasi ligji dhe kushtetuta e mbron prezumimin e pafajësisë”, tha Çedomir Damjanovski, anëtar i Komisionit të Lustrimit.
Nga emrat e 11 bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete që do të publikohen në internet, 3 prej tyre janë shqiptarë.
Top Channel