Gjykata Kushtetuese në Rumani do të vendosë më 31 gusht mbi vlefshmërinë ose jo të referendumit të mbajtur së fundmi mbi shkarkimin e presidentit Trajan Basescu.

Në këtë mënyrë, institucioni gjyqësor do të lërë vendin pa kryetar shteti të paktën edhe për disa javë, njoftojnë mediat rumune.

Konsultimi elektoral u kërkua nga koalicioni qeverisës i qendrës së majtë, i udhëhequr nga kryeministri Victor Ponta, që e akuzon Basescu-n se ka shkelur Kushtetutën duke i dhënë vetes kompetenca që s’i takonin.

Presidenti rumun, ashtu siç pritej, i mbijetoi referendumit për shkarkimin e tij. Arsyeja e triumfit të kreut jo fort popullor të shtetit ishte pikërisht mosarritja e pragut të pjesëmarrjes, që bëri votimin të vlefshëm.

Nga 50% plus 1 që duhet të ishte niveli i pjesëmarrjes, ai nuk mbërriti më shumë se 45.9%. Basescu, i pezulluar nga parlamenti, u kishte kërkuar mbështetësve të tij ta bojkotonin votimin, ndërsa nismën për rrëzimin e tij e cilësoi një veprim hakmarrës me prapavijë politike. Pas rezultatit të referendumit, ai deklaroi se me votën e tyre, rumunet votuan për vendin e jo per të.

“Rumunet votuan të pakët në numër, ashtu siç ua diktoi ndërgjegjia. Shumica qëndruan në shtëpi. Përmes këtij veprimi, ata shprehën vullnetin e tyre, konsoliduan idenë se Rumania nuk mund të kthehet në një shoqëri të drejtuar nga tekat e dikujt, pa rregulla, pa norma, në një shoqëri të qeverisur prej një grupi politikanësh që vendosin fatin e të gjithë rumunëve”, tha Basescu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA