“Nuk u besoj fjalëve të kryeministrit. Unë besoj në një marrëveshje politike që e kemi bërë dhe insistoj që ajo marrëveshje të realizohet”.
Kjo është kundërpërgjigjja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ndaj deklaratës së kryeministrit Thaçi, përsa i përket mandatit të presidentes Jahjaga dhe zgjedhjeve.
Për më tepër, Mustafa thotë se, LDK-ja qëndron prapa asaj që zgjedhjet parlamentare të mbahen ashtu siç janë parashikuar me marrëveshjen politike dhe që reforma zgjedhore dhe kushtetuese të përfundojnë sipas marrëveshjes.
Mustafa sërish ka insistuar në respektimin e marrëveshjes politike me Thaçin dhe Pacollin, e cila çoi në zgjedhjen e presidentes së Kosovës, por jo me mandat të plotë, siç e interpreton tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Puna më e lehtë e kryeministrit është të japë deklarata. Mirëpo, ai ka edhe cilësinë që të pendohet pasi i jep ato. Ai i ndërron shpesh fjalët, ashtu siç ka ndërruar edhe marrëveshjet. Ai i ka shkelur fjalët e veta dhe fjalët e shkruara, kështu që unë nuk u besoj fare fjalëve të tij. Unë besoj në një marrëveshje politike që kemi bërë dhe insistoj që ajo të realizohet. Natyrisht që kryeministri ka dëshirë të vazhdojë deri në vitin 2014, apo më tutje, por do të jenë qytetarët ata që do të vendosin se cili do ta marrë mandatin”, ka thënë Mustafa.
I pyetur për një plan “Ahtisari Plus”, lideri i partisë më të madhe opozitare ka thënë se s’ka asnjë plan të tillë dhe se LDK nuk përkrah biseda politike për veriun.
“Kurrësesi. LDK do të qëndrojë prapa politikave të veta. Ne do të japim kontributin tonë në Kuvend, por në asnjë grup uniteti, apo grupe të tjera hibride që propozohen. Nuk pranojmë kurrësesi të jemi pjesë e këtyre grupeve. Po ashtu, ne nuk do të përkrahim asnjë bisedë politike që ka të bëjë me kufijtë, zonat dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne vlerësojmë se këto çështje janë mbyllur në Vjenë”, ka nënvizuar Mustafa.
Ndërkohë, sa i përket votimit dhe ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit për zgjedhjet, Mustafa ka pohuar se LDK-ja nuk do të votojë asgjë nëse nuk është në harmoni me synimet e saj themelore, të cilat parashikohen në marrëveshjen politike Thaçi-Mustafa-Pacolli.
Top Channel