Analisti ndërkombëtar, Mark Ellis, njëkohësisht drejtor i Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve, ka deklaruar se rreziku i ndarjes së Kosovës është më i pranishëm se kurrë.
“Fatkeqësisht ekziston një rrezik i theksuar për ndarje. Them ‘fatkeqësisht’ sepse mendoj se shteti i unifikuar, me veriun e integruar është gjëja më e mirë për vendin”, ka deklaruar Ellis.
Por ky unifikim, sipas tij, është i pamundur duke parë së pari prirjet e serbëve të veriut për të refuzuar qeverisjen shqiptare dhe së dyti ndikimin e Beogradit në këtë zonë.
“Është fakt i qartë se shumica e serbëve të Kosovës e refuzojnë qeverisjen e Prishtinës”, ka nënvizuar më tej analisti në një intervistë për “REL”.
I pyetur lidhur me qëndrimet e lidershipit të ri serb, Ellis ka vlerësuar se zgjedhjet e reja të mbajtura në Serbi kanë bërë që raportet mes këtij vendi dhe Kosovës të jenë negative.
“Por unë shpresoj se dëshira e vazhdueshme e Serbisë që të jetë e integruar në Evropë do të bëjë që asaj t’i kërkohet që të vazhdojë të punojë drejt pranimit të kushteve që janë në të mirë të raporteve me Kosovën”, ka nënvizuar Ellis.
Më tej ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të presidentit Nikoliç, duke thënë se ato nuk ndikojnë pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Megjithatë, ka shtuar ai, komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojë që gjërat të kthehen pas dhe do t’i bëjë presion Serbisë që të zhvillojë dialog konstruktiv me Kosovën.
“Mendoj se deklaratat si ajo për genocid ndaj serbëve të veriut janë të gabuara dhe nuk ndihmojnë për këtë lloj dialogu që duhet të zhvillojnë dy shtetet”, ka shtuar Ellis.
Top Channel