Branisllav Mlladiç, kushëriri i Ratko Mlladiç, ka pranuar se e ka fshehur për pesë vjet ish-kreun ushtarak të serbëve të Bosnjes në shtëpinë e tij.

Bëhet fjalë për të njëjtën shtëpi ku Mlladiç u arrestua në maj të vitit 2011, në fshatin Lazarevo, 80 kilometra në veri të Beogradit.

“Për pesë vjet Ratko ka qëndruar në shtëpinë time. Pasi pati një iktus, kisha frikë se do të vdiste tek unë”, ka treguar Branisllav Mlladiç.

Kushëriri ka pranuar në gjykatë fajin e tij në këmbim të një dënimi prej një vit e gjysmë burg, me të drejtën për të kërkuar lirimin me kusht.

Ratko Mlladiç po gjykohet në Hagë për një seri akuzash të rënda, mes të cilave genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera ndaj popullsisë jo serbe.

Në veçanti, gjenerali konsiderohet përgjegjës për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, që muajin e kaluar shënoi 17-vjetorin e saj.

Në seancat e fundit, 70-vjeçari ka pasur një sërë problemesh shëndetësore, për shkak të të cilave u shtrua në spital dhe gjyqi u shty disa herë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA