Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe homologu i saj serb, Tomisllav Nikoliç mund të takohen së shpejti në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja kosovare “Express”, sipas të cilës në Bruksel po punohet që takimi në fjalë të realizohet në tetorin e ardhshëm.
Gazeta, që citon burime ndërkombëtare, njofton se vetë shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton po përgatitet për t’i takuar dy liderët ballkanas në një vend evropian.
“Ashton dëshiron t’i takojë dy liderët në një shtet evropian, që do të thotë se takimi Jahjaga Nikoliç nuk do të bëhet në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, citon gazeta burimet e saj.
Nga ana e saj, Serbia pritet të ketë një ekip të zgjeruar për bisedimet me Kosovën dhe një plan të hartuar paraprakisht në bazë të nevojave të vendit.
Siç është paralajmëruar, në muajin gusht do do të ketë një takim në të cilin, siç thonë burimet, presidenti Tomislav Nikoliç do të marrë mandatin për të udhëhequr bisedimet.
Në këtë debat pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës dhe ekipi serb do të ketë negociator në disa nivele. Këshillat e ish-shefit të bisedimeve, Borisllav Stefanoviç do të jenë të mirëpritura, ndonëse presidenca e ka akuzuar atë për bisedime të fshehta.
Top Channel