Ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore kanë deklaruar se
në fshatin Zhilivodë, në Vushtrri të Kosovës, nuk ka varrezë masive.

Deklaratën e tyre ekspertët e kanë bërë gjatë një vizitë të zhvilluar të enjten në këtë fshat, pasi kanë përfunduar gërmimet nga të cilat nuk është gjetur asnjë mbejte trupore.

Sipërfaqja që ishte shënuar dhe që duhej kontrolluar me urdhër gjykate ishte rreth 7 mijë metra katrorë dhe përbëhej nga 12 minierat e thëngjillit të lidhura me njëra-tjetrën përmes tuneleve.

“Kjo sipërfaqe është gërmuar gjatë 24 javëve, mes viteve 2011-2012. Për shkak të karakteristikave të vendndodhjes është dashur të mbikëqyret e tërë zona dhe aty nuk u gjetën mbetje mortore”, ka deklaruar Krasimir Nikolov, shef i Departamentit të Mjekësisë Ligjore pranë EULEX-it.

Sipas zyrtarit, i cituar nga “RTK”, nuk ka gjasa që një zjarr i rënë në sipërfaqen e caktuar të ketë shkatërruar të gjitha provat për ekzistencën e ndonjë varri masiv.

Gërmimet në fshatin Zhilivodë janë kryer nga njësia e xhenios pranë FSK-së, të mbështetura financiarisht nga ambasada belge dhe ajo zvicerane në Prishtinë.

Top Channel