
Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff ka deklaruar se nuk dëshiron
të përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës, por nuk ka hezituar t’u
japë një sugjerim partive politike.
Në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, Cliff ka thënë se, një bashkëpunim më i fuqishëm në Parlament, në prag të proçeseve që e presin Kosovën në shtator, do të ishte shumë pozitiv.
Sipas tij, paralelisht me ndryshimet kushtetuese që do të mbyllin mbikëqyrjen e pavarësisë, AAK dhe LDK duhet të mbështesin edhe “qasjen kombëtare” për veriun e Kosovës.
“Mendoj se krerët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së do të duhet të punonin së bashku për këtë çështje kombëtare. Nuk është e domosdoshme që të jenë në qeveri, por duhet të kenë qasje të përbashkët”, ka thënë Cliff.
Përsa u përket problemeve në zonën me shumicë serbe, diplomati britanik i ka sugjeruar qeverisë së Kosovës që të bisedojë me serbët e atjeshëm, por edhe me Beogradin, në mënyrë që veriu të integrohet brenda territorit të Kosovës.
Top Channel