Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se deklaratat e zyrtarëve serbë që kërcënojnë me përdorimin e armëve nuk përbëjnë asnjë rrezik për Kosovën.
“Nuk jemi të prirur që të krijojmë kriza, por nëse krizat i prodhon dikush, atëherë ne do t’i përgjigjemi”, ka thënë Kuçi në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.
Ai është shprehur se, deklarata të tilla në të kaluarën kanë shkaktuar dhunë dhe genocid në Kosovë dhe rajon, akte këto që sipas tij janë drejtuar nga të njëjtët persona që sot qeverisin Serbinë.
“Për fat të mirë, Kosova e ka tejkaluar këtë fazë me përkushtimin e qytetarëve dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar”, ka vijuar Kuçi, i cituar nga “RTK”.
Përsa i përket dialogut me Serbinë, zv.kryeministri ka përsëritur se ai do të rifillojë vetëm pasi të implementohen marrëveshjet e arritura deri tani me ndërmjetësimin e Brukselit.
Më tej Kuçi ka refuzuar të komentojë një raport të fundit të hartuar nga misioni EULEX, në të cilin thuhet se vrasjet e disa zyrtarëve të LDK-së pas luftës së viteve 98-99 janë kryer për motive politike, ku janë përfshirë edhe anëtarë të PDK-së.
“Puna e zyrtarëve të rendit dhe ligjit është një punë e pavarur. Institucionet le të bëjnë punën e tyre për çdo akt kriminal që ka ndodhur dhe puna më e mirë në hetuesi bëhet kur nuk flitet para opinionit publik, por punohet në praktikë”, ka thënë më tej Kuçi.
Top Channel