Bllokohet Porta 1 në Jarinjë, në veri të Mitrovicës. KFOR-i apelon tek autoritetet përgjegjëse që të ndërhyjnë për të ndaluar bllokadën ilegale të qarkullimit të mallrave në pjesën veriore të Portës 1, në anën Serbe të vijës administrative kufitare.
Për të ruajtur ambientin e qetë dhe të sigurtë, KFOR-i njofton se ka vendosur disa pika kontrolli të automjeteve për të ndaluar qarkullimin e mallrave nëpër rrugë të paautorizuara përgjatë vijës kufitare.
“Aktualisht, KFOR-i nuk ka as mision e as kapacitet për t’i kontrolluar automjetet e rënda në pikat e kontrollit të automjeteve. Për këtë shkak, KFOR-i kërkon që trafiku i mallrave të kryhet duke përdorur ekskluzivisht kalimet kufitare të autorizuara, siç janë Porta 1 në Jarinjë, Porta 3 në Merdare dhe ajo 31 në Brnjak”, thuhet në njoftimin e misionit të NATO-s.
“Pohimet se masat e KFOR-it aktualisht ndikojnë në furnizimin elementar të popullatës lokale nuk janë të sakta, meqë hyrja në Kosovë mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet Portës 3 dhe Portës 31”, vijon komunikata.
Sipas saj, edhe pohimet se trafiku komercial, i vendosur ndërmjet Vijës Administrative dhe pikës së KFOR-it për kontroll të automjeteve, është i detyruar të qëndrojë në vend, janë poashtu false. KFOR-i u ofroi drejtuesve të automjetve që t’i përcjellin ata për në Portën 1 për proçesim. Kjo ofertë nuk është pranuar.
Më tej misioni i NATO-s shprehet i vendosur për të mos lejuar asnjë zhvillim në terren, i cili kërcënon ambientin e qetë dhe të sigurtë, apo kufizon lirinë e lëvizjes.
Top Channel