Gjermania mbështet dialogun Prishtinë-Beograd dhe konfirmon se për Serbinë nuk do të ketë kushte të tjera për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ka qenë kjo deklarata që ka bërë nga Beogradi shefi i Departamentit për Evropën juglindore në Ministrinë e Jashtme gjermane, Nikolas Lambsdorf.

“Gjermania mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe shpreson në arritjen e rezultateve që do të kontribuonin në një bashkëpunim afatgjatë”, ka deklaruar Lambsdorf lidhur me bisedimet.

Ndërsa përsa i përket integrimit të Serbisë, ai ka thënë: “Kushtëzime të reja s’ka. Edhe Serbia, sikurse vendet tjera që synojnë të bëhen anëtare të BE-së, kanë kushte të caktuara që duhet të përmbushin dhe këtu nuk ka asgjë të re”.

Deklaratat zyrtari gjerman i ka bërë pas takimit me numrin dy të qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç, i cili nga ana e tij ka konfirmuar se Serbia dëshiron të vijojë rrugën drejt BE-së.

Vuçiç ka premtuar gjithashtu se qeveria e re serbe do të respektojë marrëveshjet e arritura deri tani me Prishtinën, por nga ana tjetër kërkoi që Berlini t’i bëjë presion qeverisë kosovare.

“Serbia do të respektojë të gjitha marrëveshjet e Brukselit, por pret përkrahjen e Berlinit që kompromis në bisedimet e ardhshme të mos bëjë vetëm Beogradi, por edhe Prishtina”, citohet Vuçiç nga mediat serbe.

Sipas këtyre të fundit zyrtari i lartë serb është shprehur gjithësesi i vetëdijshëm se në rrugën e integrimit evropian Serbinë e presin vendime të vështira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA