Kuvendi i Kosovës në shtator do të ketë para vetes për miratim një letër të nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe shefja e diplomacise europiane, Catherine Ashton, për zgjatjen e mandatit të “Eulex”-it edhe për dy vjet të tjera.
“Eulex Kosova”, do të jetë emri i misionit te Bashkimit Europian për sundimin e ligjit ne Kosovë pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.
Në letren e cila do t’i dërgohet baroneshes Catherine Ashton, të cilën e ka sigurar
“Top-Channel”, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kërkon zgjatjen e mandatit të prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve ndërkombëtarë deri me 15 qershor 2014.
Bazë ligjore e funksionimit të tyre do të jetë kushtetuta e Kosovës dhe pakoja e Ahtisarit. Sipas letrës, kushtetuta do të shërbejë për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër ata do të punojnë sipas detyrave të përcaktuara në pakon e Ahtisarit përkatësisht sipas aneksit 9, pika 2.3, e cila po kështu u garanton imunitet nga ndjekja penale.
Në letër, presidentja i referohet nenit 20-të te Kushtetutes së Kosovës, i cili lejon që në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare për çështje të caktuara të kalohen kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare.
Rrjedhimisht, Jahjaga konfirmon se nese Ashton pergjigjet pozitivisht ne leter atehere gjyqtarët dhe prokurorët e Eulexit do të emërohen në bazë të kushtetutes së Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 84, 104 dhe 108 të kushtetutes, nene këto të cilat sqarojnë përgjegjësitë e presidentit të Kosovës në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Lidhur me këtë çështje, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se drafti final i letrës do t’i dërgohet baroneshës Ashton këtë të mërkurë. Sipas tij, letra duhet të miratohet në Kuvend në shtator bashkë me ndryshimet e tjera në kushtetutë.
“Letra thekson 17 shkurtin 2008 si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, ndaj kemi ardhur në perfundim që të mos perfshihet 1244 apo afati kohor 15 qershor 2014. Pika e tretë ka të bëjë me emrin, profesionin dhe eksperiencën e gjyqtarëve dhe pasi ata do të fitojnë të drejtën për imunitet dhe privilegje në vendin tonë e për këtë duhet me të saktë, edhe personat që mbajnë armë nga “Eulex”-i duhet ta dergojnë letrën për njoftim dhe duhet të aprovohet nga vetë ministri”.
Siç shpjegojnë burime të tjera institucionale, gjyqtarët dhe prokurorët e “Eulex”-it nuk do të mund të përdorin ligjet e ish-Jugoslavisë, siç kanë bërë deri më tani. Po kështu, letra nëpërmjet të cilës rregullohet mandati i “Eulex”-it, nuk kufizon atë vetëm deri në vitin 2014. Sipas burimeve është lënë e hapur mundësia që varësisht nga situata në Kosovë mandati të mund të vazhdohet.
Top Channel