KMDLNJ e vlerëson politike zgjedhjen e rektorit të UP-së. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka rikujtuar nëpërmjet një komunikate se, edhe më parë ka reaguar për mënyrën se si janë zgjedhur rektorët e mëparshëm, duke vlerësuar se ndikimi politik ka qenë përcaktues për zgjedhjen e tyre.
“Zgjedhja e zotit Gashi rektor i UP-së është rast eklatant i vazhdimit të politizimit të këtij Universiteti përmes imponimit politik të kandidatit të preferuar”, thuhet në komunikatë.
KMDLNJ konsideron se i tërë procesi i “zgjedhjes” së rektorit të UP-së është i parregullt, i kurdisur duke i vënë në pozitë të pabarabartë dhe duke i diskriminuar kandidatët e tjerë të UP.
“Dhe këtu kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë dhe flagrante të të drejtave të njeriut përmes manipulimit të konkursit për rektor të UP”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së, përmes së cilës kërkohet gjithashtu që vendimi të anulohet dhe të shpallet konkursi i ri.
Zoti Gashi ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, post ky në të cilin është emëruar në saj të koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re.
Më 30 korrik 2012, Bordi i Universitetit të Prishtinës me 9 vota pro dhe asnjë kundër zgjodhi Ibrahim Gashin rektor të këtij Universiteti.
Top Channel