Paralajmërohet ngritja e çmimit të bukuës nga 35 cent në 50. Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës akuzon qeverinë për rendimentet e ulëta të grurit për këtë vit.
Sipas bujqëve kosovarë, arsyeja e kësaj gjendjeje është përdorimi i farërave dhe plehrave të cilësisë së dobët që qeveria po sjell në vend.
Por kjo është mohuar nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë. Këta të fundit kërkojnë statistika dhe fakte mbi të cilat mbështeten akuzat.
Ndërkohë, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri paralajmëron mundësinë e shtrenjtimit të çmimit të bukës.
“Si faktor që ne kemi konstatuar se po ndikon në mosarritjen e rendimenteve të larta është furnizimi i popullatës, gjegjësisht furnizimi i fermerëve me repromaterial, me farëra, me plehra, pesticide, me naftën që po na e sjell qeveria nga importi dhe ky repromaterial në tërësi është me kualitet jashtëzakonisht të dobët dhe në shumë raste është edhe i falsifikuar dhe ky është faktori kryesor që po ndikon në mosarritjen e rendimenteve të dëshiruara”, deklaron Tahiri.
Por kjo mohohet nga përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë. “Ata së pari nuk kanë statistika hiç. Të dhënat tona nuk janë të Ministrisë së Bujqësisë, por janë të dhëna të cilat grumbullohen prej komunave, janë të vulosura dhe janë të dorëzuara prej tyre tek ne dhe ne asgjë tjetër nuk bëjmë pos që i kalkulojmë dhe i llogarisim me formula matematikore të dhënat që neve na adresohen”, thotë Adil Behramaj.
Ndërkaq, duke folur për ngritjen e çmimit të bukës, ai ka thënë se nuk ka bazë për një veprim të tillë. “Konsiderojmë se nuk ka bazë për ngritje të çmimit në këtë periudhë kohore, sepse pikërisht Kosova, kurrë më shumë se sa tani, nuk ka sasi të grumbulluar të grurit dhe as nuk do të ketë, sepse jemi duke dalë prej fushatës së korrje-shirjeve, mirëpo pritet në një të ardhme. Ka një lëvizje në tregun e bursës, lëvizje të cilat në tregun tonë do të duhej të reflektonin ndoshta pas 2-3 muajsh, mirëpo, si rrjedhojë e tendencave për të maksimizuar fitimin e furrtarëve, kjo është duke tentuar të shfrytëzohet nga ana e tyre”, shton zëdhënësi.
Bazuar në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit janë mbjellë mbi 80 mijë hektarë me grurë, ku për një hektar rendimenti shkon rreth 3 mije 200 kilogramë.
Top Channel