Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përsëritur të hënën apelin e tij për respektimin e marrëveshjes politike të arritur për presidentin e vendit.

Sipas raportimeve të “RTK”, Mustafa ka thënë se pavarësisht mbështetjes nga ndërkombëtarët, presidentja Jahjaga duhet të ketë më parë mbështetjen e qytetarëve.

Kryetari i bashkisë së Prishtinës ka nënvizuar gjithashtu se, pret që lidhur me këtë çështje të prononcohen vetë Jahjaga, kryeministri Thaçi dhe faktorë të tjerë.

Më tej Mustafa ka kërkuar nga EULEX-i që të zbardhë vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas luftës në Kosovë, kërkesë kjo që vjen pas një raporti hetimor të misionit evropian, që është pranuar si dëshmi në çështjen “Bllaca 2”.

Edhe më herët gjatë muajit, LDK ka kërkuar vazhdimisht respektimin e marrëveshjes politike të ndërmjetësuar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Christopher Dell.

Madje, partia më e madhe e opozitës paralajmëroi bllokadë të reformës kushtetuese, ndërsa u shpreh se ndihej e tradhëtuar nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili mbështeti vendimin e Kushtetueses.

“Vetë ngutia e zotit Thaçi për të dalë për të përkrahur këtë mendim të gjykatës, për LDK-në tregon se ai mund të jetë një ndër lojtarët që bëjnë të ndodhë kjo që po ndodh. Për LDK-në, marrëveshje ose vlen në tërësi, ose nuk vlen fare”, tha kreu i grupi parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Ai shtoi se në këtë rast është vota ajo që duhet të vendosë dhe atëherë kjo bllokadë e paralajmëruar nuk do të ketë mundësi të ecë më tutje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA