
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mënyrë unanime dhe pa asnjë votë kundër, ka zgjedhur për rektor të Universitetit të Prishtinës ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi.
Ajvaz Berisha, anëtar i Këshillit Drejtues bëri të ditur se rektori i ri i universitetit u votua nga 9 anëtarë, sa ishin gjithësej në komision. Në garë për rektor të UP-së përveç Gashit ishin 5 kandidatë të tjerë.
Ndërkohë, diskualifikimin e kandidatëve Valon Myrtezaj dhe Fadil Maloku, Berisha e ka arsyetuar me faktin se, siç tha ai, mosplotësimit të dokumentacionit të kërkuar në konkurs. Megjithëse pak e besueshme, zoti Berisha ka mohuar që në zgjedhjen e rektorit të ketë ndikuar politika.
“Në momentin që është themeluar senati i ri i UP-së është formuar komisioni për shikimin e dokumentacionit të 7 kandidatëve. Në bazë të konkursit që është shpallur në gazetë, për dy nga ata kandidatë komisioni ka konstatuar se nuk kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm që është kërkuar me konkurs dhe natyrisht janë larguar nga gara e mëtejshme. Këtu nuk ka pasur ndonjë pretendim, ne kemi kërkuar nga komisioni që ta sjellë materialin e të gjithë kandidatëve dhe dy prej tyre nuk kanë poseduar të gjitha dokumentacionet që janë kërkuar me konkurs”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë, Valon Myrtezaj, njëri ndër kandidatët që u eliminua nga Këshilli Drejtues i UP-së, thotë se i plotëson të gjitha kushtet e kërkuara në konkursin e shpallur dhe ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të kërkojë sqarime lidhur me skualifikimin nga gara për të parin e UP-së.
“Të premten paradite disa gazetarë më kanë njoftuar se unë nuk do të jem në mesin e të ftuarve për intervistën që është mbajtur sot. Kjo më ka habitur sepse unë të gjitha kriteret formale juridike të parashikuara me konkursin e shpallur të Këshillit Drejtues të UP-së për pozitën e rektorit, i kam plotësuar 100 për qind. Nuk kam ndonjë komunikim zyrtar me institucionin e rektoratit, ditëve në vijim do të kërkoj që në mënyrë të shkruar t’i marr sqarimet shtesë pse nuk jam në mesin e kandidatëve për intervistim”, deklaroi Myrtezaj.
Profesor doktor Ibrahim Gashi kohë më parë dha dorëheqjen nga posti i zëvendësministrit të Punëve të Jashtme me synim të marrjes së postit të rektorit të Universitetit të Prishtinës, mandati i të cilit do të fillojë më 1 tetor.
Lëvizja Studentore: Gashi, njeri i pushtetit
I menjëhershëm ka qenë reagimi Lëvizjes Studentore, sipas të cilës Ibrahim Gashi është njeri i pushtetit që ka ardhur për të vazhduar avazin e vjetër, por në kostume të reja.
“Rektori i ri është rektori i vjetër. Fytyra e tij nuk na mashtron. Politika po i ndërron njerëzit që ne të mendojmë se po ndërron politika. Por rektori i ri është saktësisht ajo që thotë populli: ‘paraja blenë çdo gjë’”, deklaroi LS.
Organizata shprehet më tej se: “Gashi u shit për paratë e Pacollit dhe interesat e Thaçit. Se Gashi është i dërguari i pushtetit në UP e tregon edhe fakti se disa javë me herët ai ka dhënë dorëheqjen nga qeveria, sepse e priste kolltuku i premtuar”.
“Universiteti i vendit përsëri dhe vazhdimisht po bie preh e pazareve partiake. Universiteti na vjen si shëmbëlltyrë e këtij pushteti, ndërsa kjo qeveri është shembëlltyrë e pazareve dhe kompromiseve”, vijon reagimi.
“Ky pushtet gjithçka e sheh si mall që tregtohet. Si rrjedhojë e kësaj, studentët i sheh si objekte që manipulohen dhe prandaj na vjen Ibrahim Gashi, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga rektori Muja”, përfundon deklarata.
Top Channel