
Kryeministri i ri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se vendimi në lidhje me vazhdimin e dialogut me Kosovën do të merret në shtator.
“Mbi këtë temë ende nuk është diskutuar ende. Ne e kemi treguar gatishmërinë tonë për dialog, por më qartë për këtë do të flitet në fund të shtatorit”, tha Daçiç.
Deklaratën e tij shefi i qeverisë serbe e ka bërë në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Giulio Terzi, i cili po viziton Beogradin.
Ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviç ka shtuar më tej se, nga shefi i diplomacisë italiane ka marrë garancinë se për Serbinë nuk do të ketë kushte të reja për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE, raporton “REL”.
Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, kërkohet me ngulm nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që të zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.
Shefja e diplomacisë së BE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle i bënë të qartë qeverisë së re serbe se, presin rifillimin e dialogut dhe zbatimin sa më shpejt të marrëveshjeve të arritura.
Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, gjatë vizitës në Serbi, duke shprehur shqetësimin për situatën në veri të Kosovës, kërkoi që ajo të zgjidhet me dialog.
Top Channel