
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se elementët që formojnë qeverinë e re të Serbisë vijnë pothuajse të gjithë nga një e kaluar e errët politike.
“Pjesëtaret e kësaj qeverie padyshim që kanë një të kaluar të errët politike, meqë kanë qenë aktorë direkt në katër luftëra që janë zhvilluar, në atë të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.
Duke folur në një intervistë për “REL”, Hoxhaj ka nënvizuar se Prishtina do ta vlerësojë këtë qeveri të re në bazë të qëndrimit të saj kundrejt Kosovës.
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe zhvillimet në Serbi nuk do të kenë efekt direkt mbi Republikn e Kosovës”, ka vijuar Hoxhaj.
Ai është shprehur më tej se, pavarësisht personit që drejton qeverinë e re serbe, normalizimi i raporteve mes dy vendeve do bëhen vetëm nëse plotësohen dy kushte.
“Së pari, tërheqja e njësive policore dhe formacioneve paraushtarake nga veriu i Kosovës dhe integrimi i kësaj zone. Dhe kushti i dytë, njohja formale që duhet t’i bëjë Serbia Republikës se Kosovës si shtet i pavarur”, ka shtuar Hoxhaj.
Qeveria e re serbe mori dy ditë më parë votëbesimin në Parlament, me kryeministrin e saj Ivica Daçiç që deklaroi se prioritet do të jetë e ardhmja evropiane, por pa harruar Kosovën.
Por pavarësisht tendencave evropiane të shprehura, Ivica Daçiç njihet për nacionalizmin e tij pasi ka qenë zëdhënës i presidentit të dikurshëm jugosllav, Sllobodan Millosheviç.
Top Channel