Ish-kryenegociatori për çështjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari ka deklaruar se Serbia nuk duhet të lejohet të anëtarësohet në BE pa njohur më parë statusin e Kosovës.
Duke folur nga selia e institutit të paqes Crisis Management Initiative, ish-presidenti finlandez ka theksuar se, vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën e kanë inkurajuar Serbinë.
“Serbia e ka humbur prej kohësh Kosovën. Ajo për vite të tëra është sjellë keq ndaj kosovarëve”, ka deklaruar Ahtisari, raporton “RTK”.
Megjithatë, ai ka shprehur bindjen e tij se shumë shpejt do të vijë njohja e pavarësisë edhe nga ato shtete që deri tani kanë refuzuar ta pranojnë atë.
Deri tani Kosovën e kanë njohur 91 shtete, por problemi qëndron tek mosnjohja e saj nga 5 vendet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.
Më tej fituesi i çmimit Nobël për Paqen ka komentuar edhe deklaratën e presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, se nuk do ta njohë Kosovën dhe nëse sakrifikon BE-në.
“Nëse ai dëshiron Rusinë, atëherë le të shkojë atje. Asnjë konçesion nuk është i pranueshëm”, ka shtuar ish-i dërguari i OKB-së që i dha Kosovës pavarësinë.
Top Channel