Siri, Alepo prag masakre

27/07/2012 00:00

Një ditë pas deklaratës së ngjashme të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, edhe ish-kreu i misionit vëzhgues të OKB-së në Siri thotë se rënia e qeverisë së Bashar al-Assadit është thjesht çështje kohe.

Gjeneral-major Robert Mood, i cili u largua nga vendi i trazuar një javë më parë, pretendon megjithatë se rrëzimi i Assadit nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e konfliktit 16-mujor.

“Është e pamundur të imagjinohet e ardhmja e Sirisë me të njëjtët pushtetarë që vendi ka sot. Ky regjim do të rrëzohet. Në këtë moment, qeveria siriane mbahet në këmbë në fije të perit, ndaj askush nuk e mohon se mund të shembet shumë shpejt. Në çastin kur sheh sesi formacione të mëdha ushtarake lënë radhët e trupave qeveritare për t’u bashkuar me opoziten, atëherë kjo nënkupton se procesi i rrëzimit ka filluar të përshpejtohet”, deklaroi gjenerali Mood.

Forcat siriane ndërmorrën një tjetër sulm ndaj qytetit të dytë më të madh të vendit e njëkohesisht më të populluarit, Alepos, lëvizje kjo që shtyu Departamenin Amerikan të shtetit të deklaroje se i druhet një masakre të trupave qeveritare atje.

Sipas gazetës pro-regjimit “Al-Watan”, në Alepo po përgatitet të fillojë “nëna e të gjitha betejave”. Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay u bëri thirrje të dyja palëve në konflikt të kursejnë civilët, duke përmendur frikën e një konfrontimi të afërt madhor.

“Që tani”, tha Pillay, “kam marrë informacion për mizori që përfshijnë edhe ekzekutimet pa gjyq apo vrasjen e civilëve me snajper në Damask, ashtu siç ka edhe të dhëna se luftëtarët e opozites po torturojne e vrasin të burgosurit”.
“Besoj se në Siri janë kryer e po vazhdojne te kryhen krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, shtoi ajo.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague foli dhe ai për rrezikun e një përshkallezimi të frikshëm të konfliktit që mund të çoj drejt një katastrofe humanitare.

Shefi i diplomacisë britanike i kërkoi të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën që kanë bllokuar me veton e tyre tre rezoluta, t`i denojnë me forcë të tilla veprime.

Top Channel