SHBA, 70 milionë usd ndihma ushtarake Izraelit

27/07/2012 21:20

Presidenti amerikan Barack Obama ka firmosur një direktivë që parashikon arkëtimin e 70 milionë dollarëve në ndihma ushtarake për Izraelin.

Akti i Bashkëpunimit SHBA-Izrael ka marrë mbështetjen e të dyja palëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, bëjnë të ditur mediat amerikane.

Megjithatë, të njëjtat burime vënë në dukje se, ndihma bëhet në një kohë tërësisht të përpiktë me vizitën e kandidatit republikan Mitt Romney në Jeruzalem.

“Angazhimi ynë në mbështetje të sigurisë së kufijve të Izraelit është i palëkundur”, thuhet në një komunikatë për shtyp të institucioneve amerikane.

Izraeli është aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara në rajonin e Lindjes së Mesme, sidomos përsa i përket politikës së Uashingtonit ndaj Iranit, që nuk tërhiqet nga programi i tij bërthamor.

Vetë Izraeli është në një “luftë të ftohtë” me Iranin, liderët e të cilit kanë deklaruar disa herë se, do ta fshijnë nga harta e botës.

Deklarata të tilla kanë bërë që Jeruzalemi të paralajmërojë disa herë Teheranin, duke marrë në të tilla raste mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Vetë kandidati republikan Mitt Romney deklaroi së fundmi se, një Iran bërthamor është i papranueshëm dhe nuk e përjashtoi opsionin e ndërhyrjes ushtarake ndaj Republikës Islamike.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta