Pakistan, të bllokuara rrugët për NATO-n

27/07/2012 16:10

Furnizimet në rrugë tokësore për trupat e NATO-s, përmes Pakistanit për në Afganistan, janë ndërprerë përkohësisht.

Kjo, pasi vendasit janë në pritje të ndryshimit të masave të reja të sigurisë nga ana e autoriteteve në veri-perëndim të Pakistanit.

Një burim qeveritar ka konfirmuar se provinca Kiber-Paktunkua ka mbyllur kalimin e Kiberit për autobotet për autobotet dhe kamionët me konteinerë.

Pezullimi është vendosur pas sulmit të armatosur të dy ditëve më parë ndaj një kamioni të NATO-s, që ka shkaktuar vdekjen e shoferit dhe plagosjen e ndihmësit.

Mesa duket, mbyllja e përkohshme e kalimeve nuk ka të bëjë me ftohjen e marrëdhënieve mes Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara, që u përmirësuan para pak kohësh.

Kjo, pasi Uashingtoni e shpalli Pakistanin një aleat madhor të Amerikës, titull ky që iu dha presidentit Zardari nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Gjithashtu, tetë muaj pas sulmit ajror të NATO-s që vrau gabimisht 24 ushtarë pakistanezë duke i ngatërruar ata me talebanë, SHBA u kërkuan falje autoriteteve pakistaneze për masakrën.

Kjo bëri që mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit të shkriheshin akujt dhe Islamabadi vendosi të rihapë rrugët e rëndësishme të furnizimit për karvanet e NATO-s.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta