Në një kohë kur pritej që procesi tenderues për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” të përfundonte, ky projekt ka pësuar sërish ndryshime.

Qeveria e Kosovës është duke menduar që të ndryshojë kapacitetin e prodhimit të energjisë nga gjithsej 600 megavatë në 1 mijë, ndërkaq tashmë e ka marrë vendimin për largimin e termocentralit “Kosova B” nga pakoja tenderuese.

Kosova B me nje kapacitet prodhimi prej 600 megavatësh fillimisht ishte menduar t’i falej investitorit i cili krahas ndërtimit të termocentralit të ri do të investonte në termocentralin e vjeter. Zyrtarët qeveritarë thonë se kjo po bëhet me qëllim që investitori i ri të mos krijojë monopol në prodhimin e energjisë. Por qeveria ka vendosur që ta shesë edhe Kosovën B duke hequr kështu dorë nga mundësia për ta kontrolluar vet gjysmën e prodhimit të energjisë në vend.
 
“Me largimin e Kosovës B nga pakoja e Kosova e Re, krijohen dy pako tenderuese të vecante që do të duhen të tenderohen. Pakoja e Kosovës B do të përgatitet shumë shpejt dhe do të krijojë hapësirën për futjen e sektorit privat në ndonjë formë të partneritetit publiko-privat, dmth me qëllim të rehabilitimit, rritjes së eficencë, rritjes së prodhimit dhe respektimit të direktivave mjedisore”, thotë udhëheqësi i projektit të termocentralit “Kosova e Re”, Lorik Haxhiu.

Lidhur me ndryshimin e kapaciteteve prodhuese Haxhiu thotë se kjo është ende pjesë e debatit me investitoret.

“Për investitorët gjithmonë është më e rendësishme eficenca, për KOS është më e rëndësishme stabiliteti dhe operimi, ndërsa për ne është të e rëndësishem të gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme, një projekt që plotëson kriteret dhe të sigurisë së furnizimit të operimit të sistemit por të ketë edhe eficencën sa më të lartë të mundshme”, shton zoti Haxhiu.

Ndryshime të tillla  kanë bërë që qeveria të duket pa vizion në sektorin e energjisë në sytë e opozitës dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.

“Është një pasojë e natyrshme e një sistemi, e një qeverie e cila nuk ka një vizion të qartë se cfarë duhet të bëjë dhe nga viti në vit del në bazë të këshillave të atij apo këtij, me respekt pa respekt, po vihet deri tek ndryshimi i koncepteve dhe ideve se si duhet të zgjidhet cështja e mungesës së energjisë elektrike”, thotë eksperti i ekonomisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naim Hoxha.

“Një termocentral i ri me kapacitet 600 megavat kushton përafërsisht 600 milion euro. Nëse qeveria thotë se nuk ka para për këtë termocentral, si do t’i gjejë për autostradën Prishtinë – Shkup, që do të kushtojë më shumë. Në të njëjtën kohë, kthimi nga investimi, nga kapaciteti energjitik është shumë herë më i madh sepse sot ka nevojë për energji në rajon. Prandaj nuk është cudi që të gjithë janë të interesuar të vijnë në Kosovë të na marrin këtë resurs strategjik”, deklaron nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

“Pjesa që flet për rritjen e kapacitetit prodhues është pak problematike. Studimet që kemi bërë në bashkëpunim me ekspertë amerikanë, tregon që Kosova nuk ka nevojë as për 600 megavat, sic ka qenë planifikuar fillimisht”, shprehet Besa Shahini nga Shoqëria Civile për Zhvillim të Qendrueshëm.

Qeveria e Kosovës nuk ka planifikuar proces ritenderimi pavarësisht ndryshimeve të bëra. Ndërkaq për shkak të pushimeve të veres, nuk dihet nëse kjo cështje do t’i kalojë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Top Channel