
Gjermania dhe Franca janë të vendosura të bëjnë gjithçka për të mbrojtur eurozonën.
Kështu kanë deklaruar kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande në një komunikate të përbashkët për shtyp.
Dy liderët e dy vendeve kyçe të Bashkimit Evropian kanë rikonfirmuar kështu se ruajtja e monedhës së përbashkët është një prioritet.
Një ditë më parë ishte guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi që deklaroi se BQE do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbështetur euron.
Fjalimi i tij i dha një nxitje vetë monedhës së përbashkët dhe bursave europiane, që fituan menjëherë në kuotime gjatë ditës.
Pas garancive të guvernatorit, edhe kostoja e huamarrjes shënoi një rënie të konsiderueshme, me Spanjën që arriti të shiste bonot 10-vjeçare të thesarit me interes 7% gjatë ditës.
Një normë prej 7 për qind konsiderohet prej ekspertëve si ajo që ndan një interes të përballueshëm nga interesi spekulativ.
Deklarata mbështetëse ndihmoi gjithashtu për të rritur me 0.5% vlerën e euros në këmbimin me dollarin gjatë ditës. Në tregjet ndërkombëtare një euro u shkëmbye me 1.22 dollarë.
Top Channel