Në takimin e tij të parë si kryeministër me një funksionar të lartë europian, Antonis Samaras ka pritur në Athinë Presidentin e KE, Manuel Baroso në një takim ku kryesisht i ka bërë të qartë vendosmërinë e qeverisë greke të koalicionit për zbatimin e reformave.

Duke i shpalosur programin me masat e reja me një vlerë prej 11.7 miliard euro për dy vitet e ardhshme, Samaras i ka paraqitur kreut të KE planin për privatizimet, shpërbërjen e dhjetëra  organizmave shtetërore, reduktimet e reja në rroga dhe pensione, duke filluar që nga rroga e kryeministrit, ministrave dhe udhëheqësve të parlamentit.

Pasi i ka sqaruar atij nevojën e luftës kundër emigracionit ilegal si një plagë e madhe për vendin, Samaras i ka kërkuar Barosos të ndalojë deklaratat provokuese të zyrtarëve të lartë europianë kundër përpjekjeve kolosale të Athinës.

“Nuk mjaftojnë fjalët, duhen vepra”, ka nënvizuar nga ana e tij presidenti i KE. “Sepse vetëm kështu Greqia mund të qëndrojë në Eurozonë. I kuptoj qytetarët grekë në sakrificën që po bëjnë, por janë të domosdoshme masat financiare në mënyrë që ekonomia greke të bëhet konkurente. Ekziston shpresa”, i’u është drejtuar ai grekeve. “Nuk jeni vetëm”.

Përsa u përket deklaratave të ndryshme, sidomos nga Berlini për daljen e Greqisë nga Eurozona, Baroso ka thënë se duhet që disa politikanë të kuptojnë se jemi në të njëjtën anije.

“Nëse disa mendojnë se Greqia do të duhet të sakrifikohet si Efigjenia, në mënyrë që të fryjnë erërat për anijen europiane, bëjnë një gabim të madh”, ka deklaruar edhe kryesocialisti Venizelos, pas një takimi të tre krerëve të koalicionit, për të rënë dakord me masat e reja të kursimit për Greqinë.

Ndërsa opozita e Radikalëve të Majtë, si dhe partitë e tjera opozitare kanë kritikuar ashpër presidentin e KE, kryeministrin grek dhe liderët e tjerë të partive të koalicionit, se përsëri kërkojnë që krizën ta paguajnë rrogëtarët dhe pensionistët.

Vizita e Manuel Baroso interpretoht nga qarqet politike greke si një mbështetje në betejën e vështirë që po zhvillon Greqia për të bindur huadhënësit skeptikë se meriton edhe një ndihmë të mëtejshme, pavarësisht nga një histori e zotimeve të dështuara ne dy paketat e ndihmës nga BE dhe FMN.
   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA