Çmimet e ushqimeve kanë të ngjarë të rriten në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm për shkak të thatësirës që ka përfshirë zona të mëdha të Miduestit.
Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti amerikan për Agrikulturën, i cili ka parashikuar se çmimi i qumshtit, vezëve dhe mishit do të rritet mbi kuotën normale të inflacionit, duke qenë se moti i thatë ka rritur kostot për ushqimin e kafshëve.
Çmimet pritet të rriten me 3 ose 4 për qind në vitin 2013, me çmimin e mishit të lopës që do të arrijë deri në 5 për qind. Thatësira që po prek pjesën më të madhe të zonës së Miduestit është më e keqja që prej vitit 1956.
Çmimet e drithërave dhe sojës kanë “fluturuar” së fundmi, pasi fushat e prodhimit janë tharë dhe të korrat janë pakësuar.
“Thatësira do të prekë patjetër çmimet e ushqimeve vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Richard Volpe nga Departamenti amerikan i Agrikulturës për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Ai ka shtuar se presioni mbi çmimet e ushqimit do të fillojë të ndihet më vonë gjatë vitit.
“Presionet kanë filluar të ndihen mbi çmimet e drithërave dhe sojës, po duhet ende të ndihen në çmimet e ushqimeve, më pas në ato të mishit të kafshëve, në çmimet e shitjes me shumicë dhe më pas me pakicë”, shtoi zyrtari.
Aktualisht inflacioni për mallrat ushqimore në Shtetet e Bashkuara është rreth 2.8 për qind në vit. Thatësira pritet të prekë tani çmimet e frutave dhe perimeve, pasi të korrat për këto ushqime kanë rënë.
Top Channel