Meksikë, gjobë gjigandit bankar

26/07/2012 00:00

Institucionet meksikane kanë vendosur një gjobë prej 27.5 milionë dollarësh ndaj gjigandit bankar HSBC për dështimin në plotësimin e rregullave kundër pastrimit të parave.

Gjoba vjen një javë pasi shefi i HSBC dha dorëheqjen pas dyshimeve se banka kishte injoruar paralajmërimet se kapitale meksikane që vinin nga trafiku i drogës ishin lejuar të kalonin përmes saj.

Gjoba është më e larta e vendosur ndonjëherë nga institucionet meksikane dhe përbën 51.5 për qind të fitimit vjetor të degës së meksikane të HSBC-së.

Komisioni Kombëtar për Bankat dhe Sigurinë në Meksikë deklaroi se kishte vendosur gjobën për shkak se banka nuk kishte vepruar në përputhje me sistemet kundër pastrimit të parave.

Dega meksikane e HSBC lëshoi një deklaratë përmes të cilës bënte me dije se banka kishte dështuar në raportimin e 39 transaksioneve të dyshimta dhe se kishte raportuar me vonesë 1.729 të tjera.

“HSBC Mexico pranon se dështoi në implementimin e rregulloreve të bankave dhe të standarteve që institucionet dhe klientët presin të zbatohen”, thuhet në deklaratë.

Javën e kaluar një komitet i Senatit të Shteteve të Bashkuara zbuloi se HSBC kishte shërbyer si një kanal për paratë e bosëve të drogës dhe për ata të luftës në vendet e përfshira nga konfliktet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB