Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi do
të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike, që mbahen në
Londër.

Lajmin e bën të ditur “REL” që i referohet dy komunikatave të ndryshme të lëshuara përkatësisht nga zyra e Presidencës dhe ajo e qeverisë.

Kështu, kabineti i kryetares së shtetit njofton se Jahjaga është nisur të enjten për në Londër, me ftesë të sekretarit të Jashtëm, William Hague.

Ndërsa kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në darkën solemne në nder të fillimit të evenimentit, me ftesë të mbretëreshës Elisabeth II.

Kosova në këtë eveniment përfaqësohet nga sportistja Majlinda Kelmendi, në sportin e xhudos, e cila gjithësesi do të garojë nën flamurin e Shqipërisë.

Një ditë më parë Kelmendi mbajti një konferencë për shtyp para se të nisej drejt Anglisë, ku premtoi se do të kthehej në Prishtinë me medalje.

Pjesëmarrja e Thaçit dhe Jahjagës mund të mos pritet mirë nga Beogradi, që disa herë ka kundërshtuar pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në këtë eveniment të rëndësishëm.

Top Channel