Korea e Veriut rinis “betejën” e tullumbaceve

26/07/2012 15:20

Korea e Veriut lëshoi me dhjetëra mijëra fletëpalosje me përmbajtje propagandistike në kufirin me fqinjët jugorë.

Kjo është hera e parë që Peniani zyrtar merr një nismë të tillë në 12 vjet, informoi Ministria e Mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Me mijëra fletëpalosje janë grumbulluar nga autoritetet, por shumë të tjera kanë rënë në duart të njerëzve.

Mesazhet, të cilat “demaskonin qëllimet agresive të Seulit” dhe paralajmëronin për gatishmërinë e vendit më të izoluar në botë për të përballuar çdo sulm, i adresoheshin popullit koreanojugor, duke i bërë thirrje që të mos i “nënshtrohet tiranisë së qeverisë kukull në dorë të amerikanëve”.

Gjithashtu, në fletëpalosje akuzohej qeveria e Lee Myung-bak për “mbështetjen e planeve terroriste dhe tentativën për të shkatërruar me eksploziv një statujë të liderit historik, Kim Il-sung”.

Ato u transportuan me tullumbace në 21 korrik, një ditë me erë të favorshme për t’i transportuar ato në thellësinë e territorit të Koresë së Jugut.

Të dy shtetet, të cilat zënë të gjithë gadishullin Korean, mbeten teknikisht në luftë që prej konfliktit të vitit 1950-53, që përfundoi me një armëpushim, por jo me nënshkrimin e një paqeje zyrtare.

Të dy shtetet kanë përdorur vazhdimisht tullumbacet si mjete propagandistike, për të lëshuar fletëpalosje drejtuar popullit të secilit vend, gjatë dekadave të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA