
Personi i dyshuar për vrasjen e 12 personave në kinemanë e Kolorados
javën e kaluar i kishte dërguar një shënim një psikologu të
universitetit të tij ku përshkruante masakrën.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave shënimet përmbanin edhe vizatime, figura të ngjitura dhe përshkrimin e sulmit që do të kryhej.
Universiteti i Kolorados ka konfirmuar ndërkohë se kishte marrë një pako të dyshimtë që i është dorëzuar zyrës së policisë.
Fox News, që citon një oficer të policisë që ka ruajtur anonimatin, ishte i pari që raportoi lajmin për dërgimin e shënimit të autorit të vrasjeve.
Sipas rrjetit amerikan, ai përmbante detaje të plota për mënyrën se si do të kryheshin vrasjet, vizatime që i përshkruanin ato, si dhe ilustrime të tjera.
Aktualisht James Holmes, 24 vjeç, ndodhet në burg për masakrën në kinemanë në Aurora. Ai nuk flet me askënd dhe nga qelia e tij pështyn në drejtim të agjentëve që e mbikëqyrin ose i japin për të ngrënë.
Media të tjera kanë cituar gjithashtu burime të paidentifikuara që thonë se Holmes, i cili po përgatitej të braktiste studimet, kishte dërguar një pako në universitet.
Por vetë kolegji u shfaq kontradiktor ndaj lajmeve të mediave se pakoja ishte dërguar para masakrës dhe se kishte mbetur e pahapur për ditë të tëra me radhë.
Top Channel