Qeveria e Bullgarisë i ka mbijetuar mocionit të besimit në Parlament, i
katërti në tre vjetë jetë të ekzekutivit të udhëhequr nga kryeministri
Boiko Borisov.

Mocioni ishte promovuar nga opozita, e cila pretendon për një dështim të qeverisë në sektorin e drejtësisë dhe në atë të punëve të brendshme.

Mocioni ka siguruar vetëm 72 vota nga 121 që duhen për të rrëzuar qeverinë, bëjnë të ditur mediat bullgare në edicionet e tyre online.

Vendimi për ta prezantuar atë ishte marrë pas atentatit ndaj autobusit me shtetas izraelitë në aeroportin e Burgasit, njoftojnë më tej burimet mediatike.

Lidhur me ngjarjen në fjalë, kryeministri Borisov deklaroi të martën se, kamikazi që vrau gjashtë hebrenj, një shtetas bullgar dhe veten në sulm ishte pjesë e një grupi të sofistikuar terrorist.

Borisov kundërshtoi pretendimet e Tel Avivit zyrtar, që menjëherë pas shpërthimit akuzoi grupin militant libanez të Hezbollahut si përgjegjës.

Gjithashtu, kryeministri përcaktoi se nga të dhënat paraprake nuk ka asnjë gjurmë të përfshirjes së autoriteteve iraniane në atentat, siç u pretendua gjithashtu prej Izraelit.

”Nuk jemi ende në gjendje të themi se sa persona ishin të përfshirë në këtë grup terrorist, por është e qartë se ata kanë qenë veçanërisht të stërvitur dhe se kanë vepruar nën një disiplinë tepër të fortë, që i lejoi edhe të mbeteshin të fshehur deri në fund”, deklaroi Borisov.

“Ata kanë qarkulluar me makina të marra me qera, duke ndryshuar vazhdimsisht qytetet dhe kanë qëndruar gjithmonë larg njëri-tjetrit, por disa kamera sigurie në ambiente të ndryshme na kanë dhënë informacione që po i shqyrtojmë imtësisht”, shtoi kryeministri bullgar.

Top Channel