Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili po zhvillon një
vizitë në Bosnje, është ndalur në Srebrenicë ku u ka bërë homazhe 8 mijë
viktimave të masakrës së vitit 1995.

Ban Ki Moon është i pari sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara që kryen një akt të tillë dhe që pritet në varrezën përkujtimore të Potokarit.

Varreza në fjalë ndodhet në dyert e Srebrenicës. Ki Moon, i shoqëruar nga presidenti boshnjak Bakir Izetbegoviç, ka vendosur një kurorë me lule në nder të viktimave.

Shefi i Kombeve të Bashkuara ndodhet në Bosnje në kuadër të turit të tij ballkanik, që më herët e ndali në Serbi, Maqedoni dhe Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Beograd ai bëri thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të dy vendeve.

Ndërsa në Prishtinë, ku qëndroi vetëm në aeroportin e kryeqytetit kosovar, Ki Moon shprehu shqetësimin e tij për situatën në veri.

Në Kosovë vizita e tij u shoqërua me një protestë të lëvizjes Vetëvendosje, e cila u shpreh se Ki Moon e sheh Kosovën si protektoriat të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm u prit me protesta edhe në Shkup, ku nacionalistët maqedonas kërkuan që të ndërpriten negociatat për çështjen e emrit me Greqinë.

Top Channel