
Nuk flet me askënd dhe nga qelia e tij pështyn në drejtim të agjentëve që e mbikëqyrin ose i japin për të ngrënë. Bëhet fjalë për vrasësin e kinemasë në Aurora të Kolorados.
Për këtë arsye, 24-vjeçarit James Holmes i është vendosur një maskë, ndërsa ata që i kryejnë shërbimet në qelinë e tij të izolimit e bëjnë të veshur gjithashtu nga një maskë.
“Ai u pështyn rojave, u pështyn të gjithëve”, tregojnë burime nga burgu, të cilat shtojnë se deri tani vrasësi me flokët portokalli nuk ka pasur asnjë vizitë.
Të njëjtat burime shtojnë më tej se James Holmes ka shprehur interes për të ditur se si përfundon filmi i fundit i “Batman”, gjatë shfaqjes së të cilit kreu dhe masakrën.
“E ke parë filmin? Si mbaron?”, i është drejtuar ai një punonjësi të burgut, i cili tregon: “Po përpiqej të tregonte se ishte me të vërtetë kurioz. Sikur të mos kishte asgjë të gabuar në atë që po thoshte”.
Ndërsa një tjetër punonjës i burgut, i cili ka marrë vesh për interesimin e të riut nga kolegu i tij ka thënë: “Po të ma kishte thënë mua, do ta kisha pasur shumë të vështirë të mos e godisja”.
Një ditë më parë, mediat britanike zbuluan se James Homes ishte refuzuar nga tre femra në një faqe interneti për të rritur, pak kohë para se të kryente masakrën.
Top Channel