Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, zgjodhi Kosovën për të realizuar vizitën e parë në Ballkan që nga marrja e postit të ri si shef i diplomacisë shqiptare.

Atij i’u rezervua një pritje e ngrohtë nga homologu i tij, Enver Hoxhaj, i cili i dha një lajm që është pritur ditëve të fundit. Ministrja për Tregti Tregti dhe Industri e Kosovës, Mimoza Kusari–Lila ka marrë vendim që tarifa prej 35 % për importin e çimentos të hiqet që nga data 1 gusht.
 
Po ashtu, të dy ministrat u dakorduan për formimin e komisioneve ndërshtetërore në cështjen e ekonomisë për të thelluar bashkëpunimin.
 
Padyshim, në një takim të shefave të diplomacisë së dy shteteve, diplomacia ishte njëra nga temat e tjera bosht.
 
Z. Panariti tha se Shqipëria do të shtojë proceset diplomatike në çështjen e njohjeve të shtetit të Kosovës, ndërkaq përsëriti qëndrimin e Tiranës zyrtare se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se integriteti e sovraniteti janë të pacënueshëm.
 
Për deklaratën e Ministrit të Jashtëm në largim të Serbisë, Vuk Jeremic, se Kosova do të anëtarësohej në OKB vetëm nëse kalohet mbi trupin e tij të vdekur, ministri Panariti është përgjigjur se: kjo nuk përbën ndonjë risi.
 
Në anën tjetër, gjatë konferencës për media, shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj, ka folur edhe për deklaratën që gjatë së mërkurës në veri të Mitrovicës e ka bërë, Petar Dokic, ministër në Qeverinë e Republikës Serbe në Bosnjë, i cili ka ftuar serbët në veri që të armatosen. Sipas Hoxhajt deklaratat e tilla janë të kota që vijnë nga një krijesë gjenocidiale.
 
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, të mërkurën pasdite është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, do të ketë takime me zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si dhe do të bëjë homazhe tek varri i komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, dhe ai i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA