Prej ditësh Kina Lindore është përfshirë nga stuhi me reshje të dendura të shiut, që sipas autoriteve vendase nuk janë regjistruar që prej 60 vjetësh.
Reshjet e mëdha të shiut vijojnë të shkaktojnë probleme kryesisht në Pekin dhe rajonet përreth. Kanalizimet u bllokuan dhe uji vërshoi në shumë rrugë duke paralizuar lagje të tëra të kryeqytetit. Vetëm në Pekin, medias shtetërore njoftoi për 37 persona të vdekur, ndërsa në gjithë zonat e prekura nga reshjet e mëdha, numri i viktimave shkon në 111.
Grupet e emergjencës dhe mijëra ushtarë janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa po punohet masivisht edhe për zhbllokimin e rrugëve të kryeqytetit nga makinat e bllokuara mes baltës së lënë pas nga shirat e rrëmbyeshëm.
Ndërkohë, zyrtari i parë i partisë komuniste në Pekin dha dorëheqjen nga posti i tij e bashkë me të edhe zëvendësi i tij. Mediat ndërkombëtare njoftojnë se dorëheqja e dy zyrtarëve të lartë lidhet me keqmenaxhimin e situatës emergjente të shkaktuar nga reshjet e shiut. Por media shtetërore në Pekin njoftoi se dorëheqja ishte në kuadër të rotacionit politik në radhët e partisë.
Top Channel