Al Kaeda merr përsipër sulmet në Irak

25/07/2012 09:55

Krahu i armatosur i vetëquajtur “Shteti Islamik Irakian” ka marrë përsipër serinë e sulmeve të së hënës në disa qytete të Irakut ku mbetën të vdekur të pagtën 113 persona e ku qindra të tjerë u plagosën.

“Operacioni i xhihadistëve tronditë armikun, e goditi fort atë dhe tregoi edhe njëherë dështimin e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës irakiane”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nëpër faqet e internetit ekstremiste nga organizata.

“Shteti Islamik Irakian”, grup i armatosur radikalësh i kryesuar nga Abou Bakr al-Baghdadi, me lidhje të forta me Al Kaedan, paralajmëron sulme të tjera të ngjashme.

“Ky s’është gjë tjetër vecse fillimi i një fushatë ushtarake”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga al-Baghdadi.
Shumica e të vrarëve ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë, të cilët kanë qenë me sa duket edhe shënjestra kryesore e sulmeve.

Me 41 viktima, Taji, një lagje sunite rreth 20 km në veri të Bagdadit, ishte një nga zonat e goditura më rëndë. Vala e sulmeve, në dukje të mirëkoordinuara, preku në total 13 qytete dhe fshatra të vendit.  

Shpërthime vdekjeprurëse tronditën të gjitha lagjet shiite të Bagdadit. Më i fuqishmi prej tyre ishte ai i Sader City, që mori 16 jetë njerëzish. 5 autobomba u hodhën në erë në qytetin verior të pasur me naftë të Kirkukur, 9 janë të vdekurit në Mosul, përfshirë 6 ushtarë.

Bombat e të shtënat në provincën e trazuar Diyala vranë 11 vetë. Sulme pati edhe në mjaft zona të tjera përfshirë Sadijan, Dibisin, Samaran e Duxhailin.

Kjo vorbullë dhune vjen vetëm pak ditë pasi një person i quajtur Abu Bakr Al-Baghdadi, lideri i Al Kaedës, shpalli nisjen e një ofensive të re për rimarrjen e rajoneve që ushtarët amerikanë i spastruan nga militantët në muajin dhjetor.

Ndërsa vendi bën llogaritë me pasojat e kësaj vale të dhunës, shumë pyetje ngrihen mbi momentin e ndërmarrjes së tyre dhe lidhjes që mund të ekzistojë sa me ndasitë e brendëshme, aq me zhvillimet rajonale.

Episode të tilla gjakderdhjeje nuk janë megjithatë një risi për Irakun. Ato nisën pak muaj pas pushtimit amerikan në 2003-shin, e që atëherë, edhe pse me periudha qetësie, në të vërtetë, nuk kanë ndalur më kurrë.

Sulmet vazhduan edhe pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, duke nxjerrë akoma më shumë në pah dy probleme të vazhdueshme: dobësinë e forcave irakiane të sigurisë dhe aftësinë e agresorëve për të vazhduar goditjet në mbarë vendin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta