
Kur është bërë plot një vit nga operacioni i forcave speciale të Kosovës në veri, ku humbi jetën polici Enver Zymberi, hetimet mbi këtë vrasje kanë mbetur në udhëkryq për shkak të mungesës së lirisë së lëvizjes në këtë zonë.
Kështu ka deklaruar kryeprokurori i qarkut të Mitrovicës, Shyqyri Sula, i cili në një intervistë për “REL” ka nënvizuar se hetimet po vazhdojnë, por ende nuk është bërë diçka konkrete për kapjen e autorëve.
Kryeprokurori ka saktësuar se deri tani janë identifikuar gjashtë persona si të përfshirë në vrasje, për të cilët është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar, si dhe dy të tjerë që dyshohen se kanë ndihmuar autorët pas kryerjes së vrasjes.
“Dy persona janë arrestuar më herët, njëri gabimisht dhe është liruar nga gjyqtari i EULEX-it, ndërsa tjetrit iu ndryshua masa e arrestit por është ende nën hetim”, ka deklaruar Syla.
“Provat janë grumbulluar deri diku relativisht mirë, mirëpo pengesa paraqesin vështirësitë e lëvizjes në veri të prokurorëve dhe të policisë së EULEX-it”, ka vijuar ai.
Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Interpoli lëshoi fletë-arreste për disa qytetarë të përkatësisë etnike serbe, të dyshuar rreth vrasjes së pjesëtarit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, por deri më sot nuk ka pasur asnjë rezultat.
Top Channel