
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell përfundoi misionin e tij diplomatik në Kosovë dhe brenda pak ditësh pritet të niset drejt Uashingtonit.
Me rastin e largimit të ambasadorit Dell në Prishtinë është mbajtur një takim lamtumire mbrëmjen e së hënës. Në takimin e përcjelljes së ambasadorit Dell, merrnin pjesë Presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ministra e deputetë të Kuvendit.
Në atmosferën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por nisur edhe nga raportet dhe bashkëpunimi i ngushtë i kryeministrit Hashim Thaçi me ambasadorin amerikan në këto dy mandate të tij në Prishtinë, mbrëmja e lamtumirës së Dell është karakterizuar nga batuta gjatë fjalimeve të rastit.
“Unë dëshiroj që Ju të vini sërish ambasador i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për herë të tretë. Nëse nuk kthehesh sërish, atëherë unë do të përpiqem të të emëroj ambasador të Kosovës në Uashington”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, deklarata e të cilit shkaktoi jo pak të qeshura në sallë.
Në të njëjtën mënyrë iu përgjigj edhe ambasadori Dell.
“Kam frikë se Kosova do të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së dhe s’do të keni mundësinë të më emëroni ambasador në Uashington”, tha Dell.
Top Channel