Recesioni në Greqi do të përkeqësohet gjatë këtij viti, paralajmëroi kryeministri Antonis Samaras, në një deklaratë gjatë së cilës lëshoi edhe një sulm të ashpër ndaj “disa anëtarëve” të BE-së, që po pengojnë përpjekjet greke për rikuperim.
Kryeministri deklaroi se pritet që ekonomia të tkurret me 7% deri në fund të 2012-s, një shifër më e lartë se recesioni prej 5% që ishte parashikuar më parë nga Banka Qendrore e Greqisë.
Përfaqësues të tre huadhënësve grekë do të mbërrijnë në Athinë më vonë gjatë javës, për të vëzhguar nëse masat e marra për shkurtimin e defiçitit janë ende në rrugën e duhur.
Pa një progres të mjaftueshëm, Athina mund të mos marrë 30 miliardë eurot e fundit, të huasë madhore prej 130 miliardë, të akorduar në muajin mars.
Një rritje e recesionit nuk do të ndihmojë Greqinë që të përmbushë objektivat e saj të paketës së shkurtimeve, ndërsa bën gjithmonë e më të mundur moszbatimin e kushteve, që si rrjedhojë do të sillnin falimentimin e vendit dhe rikthimin në dhrahmi.
Ndërkohë, në fjalimin e tij, kryeministri akuzoi disa vende të BE-së se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të përkrahur rikuperimin ekonomik të Greqisë.
“Ne po përpiqemi të qendrojmë në këmbë, të qendrojmë brenda Eurozonës. Por disa përfaqësues të huaj thonë se Greqia nuk do të arrijë objektivat e saj dhe minojnë përpjekjet kombëtare në kohën kur ne po bëjmë përpjekjet maksimale në mënyrë që vendit të qendrojë në këmbë”, deklaroi Samaras.
Deklarata e kryeministrit grek i referohet më së shumti deklaratës së Ministrit gjerman të Ekonomisë, Philipp Roesler i cili të dielën e kaluar shprehu skepticizmin e tij në lidhje me përmbushjen e kërkesave të Brukselit nga ana e Greqisë.
Ndërkohë, pritet që në takimin me përfaqësuesit e “Trojkës”, kryeministri grek të kërkojë zgjatje të afateve për shlyerjen e borxhit, një masë kjo që do të përkthehej me ndaljen e masave shtrënguese për ekonominë.
Top Channel