Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të vizitojë të martën Brukselin, me ftesë të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Lajmin e bën të ditur “Kosovapress”, sipas të cilës në takimin Thaçi-Ashton do të diskutohet mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.

Ndër të tjera, temë e dialogut do të jetë marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së, proçesi i liberalizimit të vizave dhe çështje të tjera me rëndësi.

Pak ditë më parë në Bruksel ishte presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila u takua me presidentin e Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy, presidentin e KE, Jose Manuel Barroso, etj.

Pas lëvdatave për punën dhe iniciativat e presidentes dhe pas vlerësimit se gjatë këtij viti në Kosovë është shënuar progres, Van Rompuy renditi detyrat për shtetin e ri.

“Ka ende shumë punë për të bërë. BE pret që Kosova të përforcojë përpjekjet për axhendën e reformave evropiane, në veçanti sa i përket shtetit të së drejtës, reformës së administratës publike, reformës zgjedhore dhe qasjes ndaj komuniteteve minoritare”, deklaroi Van Rompuy.

Kreu i BE-së vlerësoi dialogun Prishtinë-Beograd, duke renditur si rezultate të qarta e të prekshme: njohjen e 73 diplomave; kopimin e regjistrit civil që është në proçes e sipër dhe hyrjen e lëvizjes së lirë nëpër Serbi me karta identiteti.

Ndërsa Barroso, përsa i përket dialogut, ftoi Jahjagën për vijimin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve praktike në veri dhe vlerësoi si konstruktiv rolin e Kosovës në këtë proçes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA